Dita e luleve në Shkodër (Shkodra dhe lulet)

Dita e Luleve, më 6 Maj, po kthehet nga viti në vit në një traditë festive për qytetin e Shkodrës. Organizimet për këtë ditë mbahen në mjedise të ndryshme të qytetit si në shëtitoren "Kolë Idromeno", sheshi para Bashkisë, Parrucë, Sarreq, sheshi "Nënë Tereza". Në këtë ditë organizohen aktivitete të ndryshme si: Panairi i Luleve, Ekspozita me punime në pikturë kushtuar pranverës dhe natyrës, Panairi i pijeve dhe prodhimeve ushqimore vendase, Panairi i punimeve të artizanatit në dru, serm, bakër, qëndistari, etj, si dhe kostumeve tradicionale të zonës. Pjesëmarrës janë grupe të ndryshme artistike, orkestra popullore, formacioni i harqeve dhe këngëtarë të qytetit. Në performim, nuk mungojnë aktivitet për fëmijë si dhe manifestimi i tyre me temë "Shëtisin lulet në qytet".

Shkodra dhe lulet

Nga Adnan Muka dhe Bërhan Dizdari

Qyteti i Shkodrës është i njohur dhe i vlerësuar për lashtësinë historike, traditat patriotike, tregtinë, kulturën, artin, mikpritjen etj. Pjesë përbërëse e këtij emri shumë të mirë janë edhe lulet shumëngjyrëshe e të shumëllojshme e gjelbërimi masiv. Drandofilet me maragjylin, karajfilat dhe zambakët, që kanë qenë dhe mbetën aurola e luleve të Shkodrës, janë objekt dhe i këngës popullore.
Kultivimi i luleve pasqyron kulturë, krijon ambjente të pastërta e të këndëshme, të bukura e aromatike, siguron shplodhje që të kënaqë shpirtin dhe sytë ëmbël e qetësisht pushojnë. Lulet kanë dhe vlerë kurative.
Lulja joshë bletën, ambjenti i lulëzuar nxitë vizitat e njerëzve, tregon pasuri shpirtërore, mikpritje e në mikpritje Shkodra është veçanërisht e shquar. Kjo është arsyeja që trashëguam tradita të mëdha e me vlerë në rritjen e luleve e gjelbërimin e shtëpive.
Karakteristikë dalluese e mjaft dyerve të mëdha qytetare ka qenë një pjesë e ndarë dhe e mbrojtur e oborrit e quajtur kopshtore, e përcaktuar plotësisht për lulet. Edhe në oborre, pjesërisht ose tërësisht është kultivuar lulja. Mbi dhjetë ngjyra drandofilesh me erë, ku mbizotëronte maragjyli, shumë lloje zambakësh, të bashkëshoqëruara me zymbyla, lule: alli, ojme, elbaroza, krap, sheboje, kadife, gradiola, shemshire, tulipane, luleborë e luledimër etj, janë mbjellur në oborre. Gjithashtu pranë dyerve të oborrit, mureve rrethues e fasadave të shtëpiave, në shumë raste janë ndeshur lulevila, derhana (lule mustaku?!), shermasheku dhe lule kaça deri në tetë ngjyra.
Në funksion të luleve njëvjeçare, në vazo, arka apo enë të përafërta me to, kanë qenë: anët e shkallave, kryet e shkallës (safalleku), çardaku e qoshet, si dhe pragjet e dritareve e balkonet. Në këto hapsira e vende janë rritur: karajfilat, vjolet e vjollcat, harap qypi, lulevathi, mullagat si dhe bimësi e vogël me gjethe ose me lule aromatike: fasligeni, jasemini, lule llokumi, rezmaria, sindebesini, mastrapati, lule mosprek, babaniku etj.
Në përkujdesin për lulet, ekzistonte një ndarje pune: luleve njëvjeçare, me dashuri të veçantë, iu shërbyen gratë e vajzat, ndërsa drandofileve e luleve të tjera të oborrit, si dhe bimëve dekorative shkurre e të larta, i u shërbyen burrat.
Tre parqe publike të bukura, me 3000 m², hijeshonin Shkodrën.
Pas vitit 1944, si rezultat i ndryshimeve revolucionare ekonomiko-shoqrore, zbatimit të planeve urbanistike etj, shumë oborre e kopshtare u zhduken ose u zvogëluan e shpesh e kthyenë funksion të zarzavateve e pemëve frutore, si rrjedhojë të pakta e me gisht numëroheshin shtëpitë me lule. Një pjesë e mirë e llojeve të luleve u rralluan e disa prej tyre u zhduken.
Krahas zbatimit të studimeve urbanistike, ndërtimit të pallateve, rrugëve të reja dhe ndërmarrjeve të mëdha, u zmadhua dukshëm sipërfaqja e lulishteve publike, të sistemuara drejtë në mbjellje e harmonikisht te kombinuara: lulet me shkurre e drurët dekorativ. Në serën e N/jes Komunale Gjelbërim, filloi kultivimi e trajtimi i luleve mbi baza shkencore e agro-teknike që i shërbeu prodhimit të fidaneve për lulishtet, po dhe plotësimit të kërkesave në rritje, kryesisht të qytetarëve që banonin në apartamente të reja. U importuan fara lulesh e bimësh të tjera dekorative si: begonjat, gjetheshqiponjat, fikusi, kaktuset, shpatat, palmat e saksive, fini dekorativ etj.
Kalimi në pluralizëm, kur shteti dje dhe sot nuk është në gjendje të mbrojë pronën publike, sipërfaqja e lulishteve u pakësua e u degradua nga kioskat, prerjet, bagëtia e njerësit pa kulturë. Pjesa e ngelur e këtij mjedisi të bukur, keqas, disi gjallon, në saj të punës së Nd/jes së Gjelbërimit. Dukuri pozitive e e mirëpritur eshtë zgjimi shumë i shpejtë i interesit per lulet e bimët dekorative. Ekziston një rivalitet i theksuar në mes të familjarëve, për t'u prezantuar me ambiente estetike e të zbukuruara me lule e bimë natyrale, e ka rënë shumë përdorimi i luleve artificiale.
Kërkesat e mëdha për lule kanë nxitur e rritur bisnezin i cili aktualisht realizohet nga individë amatorë e profesionist në prodhimin e tregtimin e farërave të luleve, te vazove e pak të dherishteve.
Si rezultat i zhvillimit të këtij biznesi në qytet, në Nd/jen e Gjelbërimit, e cila ka një fond të pasur të luleve autoktone, po dhe të ardhura si: astret (angleze), rodemberg, lontane, lupin shumëngjyrësh dhe në disa ekonomi të vogla private, po lulëzon prodhimi për shitje i luleve e bimëve dekorative. Gjithashtu nga tregtarë si dhe individë me shije, për kënaqësi personale, po importohen farë, lule e bimë dekorative e fondi i luleve është gjithmonë në rritje. Shija dhe madhësia e buxhetit, kryesisht e grave, do të ndikojë e përcaktojë në përzgjedhjen e luleve e bimëve dekorative, që do të mbisundojnë në oborre, banesa, në institucione e ambiente të shërbimeve publike.
Mund të duket paradoksale për aktualitetin, po fatbardhësisht ekzistojnë pak individë me pasion të lartë, që kanë investuar e investojnë punë e mjete financiare të mëdha, që kanë krijuar oborr e ambiente shtëpije të zbukuruar me lloje lulesh e bimësi dekorative të larmishme, një pasuri mahnitëse. Dhe për çudi, këta që me të drejtë duhen quajtur ARTISTë Të LULEVE, janë relativisht të pakënaqur, përpiqen e kërkojnë për të patur gjithnjë e më shumë lule të reja.
Që përzgjedhja e luleve të bëhet sa më drejtë mendojmë se duhet dhe mendimi e ndikimi i specializuar ndërmjet shkrimeve, bisedave, dokumentarëve televiziv dhe botimit të broshurave, për të dhënë informacionet e domosdoshme, shumë të nevojshme për mirërritjen dhe ripërtëritjen e luleve. Që të lulëzohet, detyrë e rol të veçantë në dritëzimin e dijeve e cultures së luleve, mendojmë se duhet të realizojë: Katedra e Biologjisë, Shoqata e Ambientalistëve (ose një seksion i saj) nëpërmjet nxitjes dhe planifikimit:
1. të temave për mbrojtje dipllome e titujve shkencore;
2. të përkrahjes morale e material të studiuesve për shkrime e botime, koleksionimit të fondit të luleve autoktone, fotografimeve dhe realizimit të dokumentarëve televiziv;
3. të rritjes së kërkesave për një kulture tregtare bashkohore në etiketimin me disa njohuri themelore të kultivimit, emërtimin e ambalazhimin e luleve;
4. periodikisht, një herë në vit, ose çdo disa vite, të organizohen ekspozita ose panaire lulesh dhe nderohen me çmime e diplloma:
a. oborret më të bukura;
b. ambientet e banesave me shumë lule;
c. bisnezmenë, tregtarë e prodhues të dalluar lulesh;
5. të shpallet jargavani, që është drejt zhdukjes së plotë, bima dekorative e Shkodrës;
6. të nxitet e të përkrahet biznesi i prodhimit e i shitjes së dherishteve, që është shumë i kërkueshëm e i domosdoshëm për mirërritjen e luleve dhe njëherit dhe fitimprurës.

Që Shkodrës t'i rikthehet, në një shkallë edhe më të lartë e të dukshme, krenaria e saj për lulet, si simbol e pasqyrë kulture e qytetarie, duke u bazuar në mirënjohjen tonë të madhe për paraardhësit, të punojmë e të sakrifikojmë që brezat e rinj të na jenë mirënjohës dhe t'a trashëgojnë dashurinë për lulet e ambientet e lulëzuara, që asnjë hapësirë boshe e copë toke me oborr, në banesa e në ambjente publike të mos mbetet pa lule.

COMMENTS