Skënder Drini - Testamenti (tregim)

Testamenti - Skender Drini
Vendosa të shkruaj testamentin tim. Kjo, sepse jam mërzitur nga kjo jetë, sepse ditët e mia në këtë planet janë nga fundi dhe se atje në Hjuston ka filluar numërimi së prapthi për nisjen e raketës drejt hiçit. Për përmbushjen e vullnetit tim kuptohet që do të angazhohen njerëzit e mi më të shtrenjtë dhe pa tjetër mes tyre do të jenë edhe Kali Arab, Dhelpra, Kokforti Aktiv dhe Pacuku. Dihet që këto nuk janë emra të vërtetë, por pseudonime që unë i kam vënë për t'i përkëdhelur dhe llastuar. Më duhet të shtoj këtu atë mërzinë juridike për të shpjeguar që gjithçka e kam bërë me vullnet të plotë, pa shtysën e askujt dhe me një gjendje mendore të përsosur.
Gjithçka që është në emrin tim, e tundshme dhe e pa tundshme, i kalon bashkëshortes sime. Balzaku i madh dhe një varg Balzakësh më të vegjël se ai na kanë kujtuar, se atij që merr mundimin e madh për të lënë një testament, i faniten përpara syve portretet e njerëzve që e kanë rrethuar nga afër në jetë. Është për t'u çuditur që gruaja ime nuk më del përpara si një portret, por vetëm si ide pengimi. Nuk e kishte pranuar kurrë që unë isha një artist i madh, ashtu siç nuk e kishte pranuar kurrë që tromba mund të ishte një instrument sa i të bardhëve, aq edhe i zezakëve. Por të gjitha veglat me frymë ishin të zezakëve dhe shtonte më tej që edhe meloditë e tyre ishin të zezakëve, nga xhazi dhe nuk e di se deri ku... As që donte t'ia dinte që zezakët kishin fare pak shekuj atje në Amerikë, ku bënin ligjin me veglat e frymës. Asaj i mjaftonte që unë nuk isha zezak për të mos qenë një artist i madh i trombës. Kur thoshin që unë isha një virtuoz i vërtetë në trombë, ajo hidhej sikur ta kishte pickuar diçka dhe thoshte që virtuozët e vërtetë në trombë ishin vetëm zezakët. Unë e doja aq shumë atë, sa isha gati të bëhesha zezak, por as kjo nuk do të më ndihmonte, sepse ajo përnjëherësh do të thoshte që në trombë janë virtuozë kinezët. Ndonjëherë e mallkoja veten që kisha zgjedhur atë vegël, që sa të lartësonte në skenë me spektatorët, aq të shkaktonte andralla me banorët e pallatit. A mund të stërvitesh në pallat me një xhez? Aq mund të stërvitesh dhe me trombën. Ikja. Gjeja vende bosh, larg veshëve të njerëzve. Më të shumtën e kohës e kaloja në palestrën e gjimnazit, kështu që gruas sime nuk i mungonte qetësia, por diçka tjetër, i mungonin duartrokitjet! Ishte tepër e shquar në punën e saj, por nuk kishte pse të duartrokitej një meteorologe. Shumë, shumë mund të merrte ndonjë lavdërim në telefon, por unë kisha vënë re që ajo ishte pothuaj krejtësisht e saktë, kur parashikonte kohë të keqe. Mendoja që veç të dhënave që studionte e ndihmonte deri diku edhe fakti që në familjen tonë nuk mbretëronte ndonjë klimë edhe aq e ngrohtë... Asnjëherë nuk e mora vesh, nëse ai pellgu ku përpëlitej ajo, ishte i mbushur me egoizëm, cmirë, apo kryelartësi... Nuk do ta marr vesh kurrë... Po, kur është kështu, mund të ma thotë dikush, pse nuk ia lë djalit atë që ke? Sepse shpresoj që ajo ta kuptojë, që gjithçka që po i lë, vjen nga tromba e artistit që nuk është zezak... Do t'ju lutesha diçka miqve të mi, që të sillni ndërmend gruan e Tolstoit dhe të mos e lejonin time shoqe të thotë që ishte ajo që më bëri artist të madh...
Kam shumë kostume në raftin e rrobave. Shumicën të veshur një herë dhe të paveshur fare. Nëse do t'i pranonte do t'ia lija me shumë kënaqësi violinistit S. Atij i duhen kostumet, ndërsa për mua i gjithë kostumi nuk është tjetër veçse një kravatë që të shtërngon në fyt. Po ishte e pamundur që unë të hiqja dorë nga kjo mbulesë torturuese, sepse ma kërkonte skena. Jashtë skene unë mjaftohesha me një bluzë në verë dhe me një xhakovento në dimër. Nuk di nga ka ardhur kjo mbulesë e njerëzve të varfër apo dhe të zakonshëm. Duke kujtuar ato veshjet e Kinës së vjetër me mbërtheckat në fyt, besoj të këtë ardhur nga Kina. Po ngado që të ketë ardhur, i ka bërë një shërbim të madh të varfërve dhe sidomos të nguturve. Violinistit S. i duheshin kostumet. Ishte një lloj dalldije, që besonte se përbuzja e femrës fillonte nga veshja e mashkullit. Ishte ndoshta idhujtari më i madh që kam njohur unë, i bukurisë femërore. Ai besonte se bukuria e femrës nuk ishte e tokës dhe se nuk dihej nga mund të kishte ardhur. Kishte një mendim metafizik për të dhe besonte se ajo mund të pulitej dhe të pushonte mbi shpirtra shumë të brishtë që me delikatesën e tyre mund të krahasoheshin vetëm me një drithmë qepallash.
Ai vetëm merr erë, por nuk kafshon, - thoshte e shoqja e tij, - dhe kjo ishte e vërtetë. Ishte një violinist i mirë dhe shumicën e rasteve ishte spalë në krye të orkestrës, por ai vinte i dyti, vinte pas meje në hierarkinë e vlerave, që kishte vendosur ky qytet. Pavarësisht se përkëdhelem unë, ky ishte një vlerësim i saktë dhe nuk ishte si ato "mirënjohjet" që shpërndan Bashkia. Nuk ishte xheloz dhe nuk mërzitej që ishte në plan të dytë, por gjithsesi do të them që, megjithatë kishte gjetur një marifet matematik për të kapërcyer vendin e dytë. Ai thoshte: "Ti je njëshi, por unë jam dyshi. Dyshi është më i madh se njëshi...". Ky njeri do të më mungojë.
Do t'ju lutesha të jeni shumë të vëmendshëm dhe të mos lejoni të më kooptojë ndonjë parti polike, siç ndodh kur ndahet nga kjo botë ndonjë figurë e veçantë. E para herë që më jepet rasti të tregoj që nuk kam bërë pjesë në asnjë parti politike dhe se nuk kam qenë i përkëdheluri i asnjë pushteti. Kjo jo se unë nuk kam qenë një snob që doja të bëja të veçantin, por sepse nuk ishte e mundur të gjeja një lidhëse që ta mbante të bashkuar politikën me artin. Kush e ka bërë këtë, i ka mbetur lidhësja e këputur në dorë. Po, kushdo ka të drejtë të pyesë se çfarë kam qenë unë në fund të fundit? Një hegelian i ngatërruar nga një mbivendosje darviniane? Darvini është brutal dhe nuk mund të shpjegojë butë dhe me delikatesë origjinën e atyre petaleve që vërtit nëpër duar. Është edhe më brutal kur shpjegon origjinën e njeriut, por nuk kam çfarë t'i bëj së vërtetës. Ndoshta nuk e di me saktësi se çfarë jam, por nëse dikush më perzien me social-demokratët nuk mund ta kundërshtoj me shumë forcë, por vetëm mund të them që nuk jam nga këta të sotmit, nuk ngjaj as me Shrederin që ka qenë i sukseseshëm dhe ndoshta kam një qasje vetëm me kohët më të mira të Vili Brandit. Nuk duhet që në asnjë mënyrë të lejoni që politika të më bëjë të vetin. Në të gjitha kohërat ajo e ka parë artin si dekor. Unë nuk dua të jem dekor. Vetëm në Greqinë e Lashtë ndoshta ka ndodhur e kundërta, sepse as Leonida i famshëm nuk kishte shans të rrinte mbi Eskilin. Kur do t'u dalë e nevojshme të më mbroni, kujtoni si u përdor Migjeni dhe si u braktis Migjeni. Nuk besoj që Bashkia të mendojë për homazhe dhe funeral publik. Nuk jam në marrëdhënie të mira me të që kur nuk pranova të bëj pjesë në bandën e qytetit. Ajo nuk ka si ta kuptojë që unë nuk jam për të ngritur moralin dhe entusiazmin e rrugës së qytetarëve, por për të akorduar ndjenjat e holla të shpirtit të tyre. Të mos shqetësohet, nuk dua funeral publik dhe për këtë më është mbushur mendja disa vite përpara, që në atë ditën që vdiq poeti F.R. Bëra të pamundurën për t'i bërë një përcjellje publike atij, sepse as atë nuk e donin. E çova çështjen shumë lart dhe më në fund e arrita. F.R. që ishte një personazh kontravers, një njeri që kishte bërë çmos për t'i hipur me shkelma jetës së tij të vogël dhe talentit të tij të madh. Shkurt, ishte një poet. Fola aty dhe nuk besoj që të kem qenë ndonjëherë në jetën time më brilant se atë ditë. Fola me një dhimbje të madhe dhe me një zemërim të madh. Por kur mbarova dhe i hodha një sy asaj gjendjes së artit dhe të kulturës që ishin të pranishëm, m'u lidh në fyt një nyjë si një tumor. Dëshiroj të gabohem po aty, me ndonjë përjashtim të vogël, kjo vdekje nuk ishte tjetër, por një vdekje e radhës. Aty m'u kujtua Hygoi që bërtiste rrugëve të Parisit, ndërsa po vdiste Balzaku. A e dinte Franca që po vdiste njeriu më i madh i saj? Unë nuk dua një funeral publik për këto arsye. Nuk dua as një "vdekje jashtë radhe", sepse ne nuk e duam njëri-tjetrin.
Nuk dua të më përcjellin klerikë, sepse asnjëherë nuk kam dashur klerikë nëpër këmbë. Kjo jo për ndonjë diferencë me religjonet, por më shumë për një arsye sa të çuditshme, aq dhe pragmatiste: që një mendim qiellor nuk mund të mbrohet me një logjikë tokësore. Dje lexova një shkrim të Umberto Ekos, që sikur më erdhi si me porosi. Një shkrim i shkurtër, i ftohtë dhe racional. Aq racional sa mund të arrinte deri tek iracionalja. Merrej pak a shumë me atë që kam shkruar pak më lart dhe për ta mbështetur, kishte tërhequr pas vetes një qerre me filozofë ndër të cilët binte në sy Spinoza. Bëra shumë mirë që e lexova Umberto Ekon.
Nuk dua një varr të zakonshëm. Dua një cenotaf. Cenotaf me një pllakë pa emër dhe mbiemër në krye. Kjo është shumë intigruese, sepse njerëzit që janë përgjithësisht të prirur nga e keqja, do të mendojnë që aty brenda është kallur një monstër aq i përbindshëm, sa që familja nuk ka guxuar t'i vërë as emër. Kam shpresë që kjo do të më bëjë më të famshëm se do të nisin kërkimet pa fund për atë pllakë pa emër.
Dua një përcjellje me një varkë drejt detit, me varkë në flakë. E di, që nuk mund të arrij deri te ngushticat e Golf Strimit dhe nuk do të kem privilegjin e madh të më përshëndesin vikingët me shigjetat e ndezura, por prapë jam i kënaqur. Dikush mund të pyesë: "Pse në det?", "Pse në ujë?" Është gati si një kthim në identitet, sepse, andej ka nisur jeta. Duke u rikthyer, paguaj një borxh.
Kokëforti Akiv pa tjetër që do të japë një kafe në kujtimin tim atje te kafeneja "Venediku", në përvjetorët e mi. Në rastin e Dajës (një tjetër pseudonim ky) duhet të shtojë edhe një fernet Branka. Kokëforti Aktiv më ka robëruar përgjithnjë vetëm me një buzëqeshje, të hollë, elegante, me një bonhomi universal... Po Pacuku, që është një "hilexhi pa hile", që është edhe një proverb i gjallë lindor, sepse ka lexuar shumë Hafëzin edhe Rumiun, përpiqet të më zhgënjejë. Thotë që atë buzëqeshje Kokëforti Aktiv ua dhuron edhe të tjerëve. Nuk e besoj. Po të jetë e vërtetë, kjo do të jetë një katastrofë.
Më në fund dëshirën time më të fundit, më të rëndësishmen dhe më kapitalen: Do t'u përgjërohem të gjithëve që të bëni të pamundurën dhe të mos më lini të vdes.

COMMENTS