Nikolla Spathari - poezi të zgjedhura

Nikolla Spathari poezi
Nënë Terezës

Ndoshta Krijuesi
Mori një yll diku lart në qiell,
E vendosi tek ti
Dhe u bë diell.

Pastaj erdhe këndej nga Bota
Dhe, si në hijen e një dafine,
U ule te poezia,
Këtu do t' ishe e shenjtëruar sa në çdo parajsë
Që mund të ngrinte për ty Perëndia.

Vitet ikin
E ti rrin në profile ajrore,
Siç rri një këngë në fragmente ere,
Popujt të kanë vendosur atje ku zbërthehen të gjitha ngjyrat,
Në pjesën më të ndritshme të një pranvere.

Dhe së bashku me ty
Rri mirësia.
Lebrozët dhe të varfërit e Botës rendin te ti,
Siç rendin lutjet te Ave Maria.

Nëna

Ikën të gjitha:
Shtëpia e djegur Në një buzëmbremje vjeshte,
Vrasja e babait
Një të dielë në perëndim...
Ditët u bënë dhimbje,
Netët - pikëllim...

Ç' prej ditës,
Që vdiqe,
S' më shqitet
Mendimi:
Nga mosha t' erdhi vdekja
Apo nga pikëllimi...

Poezia ka mbetur atje

Fshehjen tonë
E ruajnë të gjitha kaçubet
Me ikjet e gëzuara në fëmijëri,
Kur dëshirat e mëdha ngriheshin si krisma
Dhe bënim siç dinim dashuri...

Le të shkoj tani nëpër botë,
Në hotele me yje,
Me femra, me skeptra,
Poezia ka mbetur atje
Në një verë të largët me kaçube të gjelbërta.

Vendim i marrë në shi

Dola nga parku
Dhe i lashë shirat
Të bien mbi çveshjën e drurëve,
Mjegullat
Vërtitën e brohorasin në Dajt,
Me çadrën e anuar mbi supin e djathtë
Të dalloj nga larg...

Nën një re,
Të mbetur te kurora e një peme,
Vendosëm ta lesh auditorin
Dhe ikëm nëpër shi,
Sigurisht ia vlente një leksion më pak
Për mjë ditë më shumë dashuri...

Borë në pranverë

Se ku e morën retë
Një thellim dimri,
Ndërsa vjollcat
Shpërthenin çdo ditë,
U gënjyen kumbullat dhe çelën,
U gënjyen gocat dhe i hoqën pardesytë.

Askush s'u shqetësua,
Se në studion time
Qe thyer një xham,
Ku u sul bora ditën e shkuar,
Por stilografi mbeti mbi letra si një murg i përmbysur
Dhe poezia, për ty, mbeti pa shkruar.

Fundvjeshte

Pushoi poterë e shirave,
tej në fusha,
rrëmuja e vetëtimave, me zigzage të ngatërruara,
u shkri mbi male,
gjethet, si balerina të çmendura,
hidhen në valle...

Pemë të zhveshura,
si ëndrra pleqsh,
duket se janë tharë për fare,
dimri zbret lehtë nga një baladë e vjetër stinësh,
me ca fije bore në dritare...

Të humba te muzgu

Të humba te muzgu
E te muzgu
Përsëri të gjeta,
Në oborr ishin tharë aq herë trëndafilat
Dhe lejlekët kishin ikur aq herë nëpër vjeshta.

Zemërimi

Në njerën nga ditët e freskëta
Të një lisi,
E shmanga Diellin te korija
Dhe u ula atje,
Hija, që zgjatej gjer te lumi,
M'u rrëzua mbi mendime,
Ujrat vraponin nëpër gurë,
Siç vrapon dhe jeta ime...

Dhe u zemërova
Me lumin,
Me hijen,
Me lisin,
U zemërova
Me fjalën time
Dhe me vesin e poetëve
Për të bërë krahasime.

Vajzës me emrin Lumturi

Buzët e tua,
Që më erdhën si nga një reliev lulkuqesh të Kosovës,
Këtu në bregdet, m'u kujtuan sot,
I nisa një mallkim botës për atë që i ka shpikur ikjet,
Se i ikur kaq larg nuk t'i puthi dot...

Një zë melodioz
Dhe dy sy të mbushur tej mase me dashuri,
Në kujtmet e mia, nuk mundem t'i ndaj,
Tani e kuptoj se ekziston lumturia
Gjersa ti mban emrin e saj.

Qyteti yt është i vogël,
As sheshe gjigande
As monumente madhështore nuk ka,
Por je ti që e bën aq modern,
Më modern se metropolet e mëdha...

Në Kaçanikun ku linde,
Idriz Seferi...
Ndezi flakë çdo gur e çdo përrua,
Të jetë bërë vallë gjithë ajo luftë e madhe
Që të vinin kaq ëmbël buzët e tua!?

Piktorja kosovare

Simonida i pranoi sytë e mi bojëqielli,
Që piktores kosovare
Iu ngatërruan në penel,
Në fytyrë i ndriti një hutim i gëzuar
Dhe më ftoi për darkë në "Grand Hotel".

Natën vonë
I harrova të gjitha fjalët
Dhe përsërisja vetëm emrin e saj,
Kishte emër të bukur, më duket Hyri,
E kisha ditur sesi luftojnë gocat e Kosovës,
Por desha të di si bëjnë dashuri.

Sikur të vije

Sa mirë do t' ishte të vije përsëri,
Të rrinim në muzg
Te vetmia e pemës,
Siç rrinim atëherë me pak pranverë në sy
Në shoqërinë magjike të hënës.

Por edhe po s'erdhe
S'do humbësh asgjë,
Veç një nostalgjik
Që rri netëve pa gjumë,
Që s'ka vilë as makinë BMV
Edhe pse vargje dhe dashuri ka shumë.

Njoha një Helenë

Nuk isha në kullën e plakut Priam,
As tek zemërimi i Akilit
Në Mikenë,
Isha në bregdetin e Durrësit, mijëra vjet më vonë,
Kur njoha dhe unë një Helenë.

Ishte po aq e bukur,
Po aq e dashur,
Sa ajo e shekujve më parë,
Dhe u dhashë të drejtë qindra akejve,
Që për Helenën janë vrarë.

Marrëzi nate

Në kontinentet e netëve
Mërgon gjumi
Dhe vjen një orë e vonë që thur marrëzi,
Kështu mendova dhe unë për sytë e së dashurës time:
Përse të mos bëjnë histori?

E ç'kishin më shumë sytë e Helenës,
Që çmenden patricë
Dhe akej me mburoja?
A s'mund të shkruhet sërishmi Iliada
Dhe të digjet për së dyti Troja?!

Vetmia

Mirëmbetshi kafene
Dhe ju sheshe gjysmë të çmendur!
Sa shumë kohë
Për të arritur deri te vetmia!
Mirëmbetshi dhe ju salla ku çirrën mediokrit
E ku ndahën tituj e çmime, me mijëra!
S'e kisha ditur
Që vetmia
Mund të merrte formën e një vjeshte,
Dhe unë të dashurohesha me këtë vjeshtë
Larg atyre që mburren pa bërë asgjë,
Mirëmbetshi!
Aty, te "lavdia“ po ju lë.
Dhe atdheu
Sigurisht ju mban,
Siç ka mbajtur në shekuj çdo brengë,
Ashtu si lisat që mbajnë bilbila,
Por mbajnë edhe zogj pa këngë...

Sa bukur do të ishte

Është ora
Që nimfat i lënë kataraktet,
Ndaj mund të vish edhe ti
Tani që mbrëmja mori formen e baladës,
Sa bukur do t' ishte të vije në mënyrë mitologjike
Nga ujëvarat e natës.

Por ti nuk erdhe
Dhe humbi aq shejtërisht
Mesnata,
Siç humb zjarri në kultin e Hefestit,
Unë vura kokën mbi një metaforë
Dhe fjeta në sonetin e hijeve të mëngjesit.

Nuk di!

Nëse ndërroheshin
A nuk ndërroheshin stinët.
Si ndodhi
Që në pyjet e zhveshura,
Gjelbërimi aq shumë u vonua?
Sonte kur të prita te pragu i muzgut,
Ishin dhe lejlekët me mua...

Letër Ezopit

Ndërtohen rrugë,
Ngrihen pallate,
Godina t' xhamta
Me dhjetra kate.

Bëjnë shkencë të madhe
Në auditorë,
Akademikë
Dhe profesorë.

Në çdo cep rruge
Flitet anglisht,
Deri kinezçe
Dhe hebraisht,

E megjithatë,
Në këtë botë,
Prapë qingji ujkut
Ujin "ia ndotë"...

Ekonomi tregu

Mbrëmë, pas mesnate,
M'u fanit babai,
Babai i dashur,
Që vdiq sivjet,
I duhej një grusht me para
Ndryshe s'e pranonin në Xhenet...

Kalo nga Parajsa, i thashë,
Hyr atje,
Është e njejta punë...
Aha,
S'është gjë, kundërshtoi babai,
Atje kërkojnë më shumë...

Në një varrezë të vjetër

Hyj në varreza
Si në një muze të lashtë.
Në të katër anët
Gjëmon heshtja
Si brirët e të gjitha luftërave bashkë.

Varre të gjatë
Pa hije qeparisash,
Me nga një gur të pikëlluar te koka
Plot lashtësi,
Ata s'dinin se për varret ka edhe mermer me ngjyra,
Por ditën të bëjnë histori.

Mungon një kengë

Edhe këtu
Mungon një këngë,
Ashtu siç mungojnë
Shumë gjëra në këtë botë,
Sigurisht tragjedi nuk e quaj,
Por edhe nostalgji ta quaj është e kotë.

A mund të këndohet një këngë
Për ty
Dhe ti të mungosh në këtë këngë!?
Ti mbase asnjëherë s'ke qenë dashuri,
Mbase gjithënjë ke qenë brengë...

Dhimbja e fundit

- Për 26 viktimat e Gërdecit -

Nuk kam ku ta fshehë dhimbjen
Nën këtë qiell,
Ku hëna pret të bëhet e plotë
Duke numëruar netët,
Ku erërat vijnë çdo mbrëmje tek drurët
Dhe i lenë psherëtimat te fletët.
Zëri im bëhet elegji
Po prapë s'e arrin pikëllimin.
Ai bie mbi qiell të kraterit
Dhe kthehet në gërmadhë,
Nuk di nëse tulipanët i rrëzoi shpërthimi i asaj dite
Apo u rrëzuan vetë, siç rrëzohet një mall!
Gjithsesi qielli i natës është aty
Dhe Afërdita digjet
Si një kasolle mbi zjarrin e shuar.
Horizontet s'e hedhin dot erën e shkrumbit,
Ne e kishim plot oazin e dhimbjes,
Por erdhët dhe ju, dhimbja e fundit.

Në vendlindje

E kujton pylli i bleruar?
Po lëndinën e fshatit e mban mend?
Se dikur, shumë vite të shkuar,
lindi një fëmi në këtë vend.

Linda unë, kënduan zogjtë në lisa,
gëzim i madh kodrave qe derdhë,
sa shumë këngë, gaz edhe krisma
për një çapaçul me flokë të verdhë.

Lindje edhe vdekje ka çdo ditë,
ato vijnë e ikin me kismet,
por kish lindë atë ditë i pari djalë,
që nga fshati do bëhej poet.

Kishte lindur poeti i parë,
ndërsa dielli pas malit qe dukur,
dhe për shans edhe fat të bardhë,
e kish lindur gruaja më e bukur.

Kërkohet Migjeni

Lypësi në kishë,
vazhdon të mallkojë fjalët e priftit nën zë,
është po ai lypës dhe po ai prift,
vetëm Migjeni s'është më.

Sokratë të vuajtur
dhe derra të kënaqur,
në çdo kthesë rruge i takon.
Ata të gjithë si atëherë,
vetëm Migjeni mungon.

Punëtori i papunë,
atë grushtin e fortë kërkon,
përsëri, duke pritur,
që t'i bjerë malit, se mali është aty,
vetëm Migjeni ka ikur.

"Pak dritë, pak dritë..." ,
një qiri i ndezur
është refreni,
Errësira ka mbetur errësirë,
nuk është vetëm Migjeni.

Ende mjerimi,
"Fytyra të zbehta
dhe sy të jeshilta"
rrëfen.
Ju vite, që s'na dhatë asgjë,
na jepni, së paku, një Migjen!

Ëndërrimi i gjyshes

Gjelbëron toka nen qëparisa,
Tutje në fusha
Ka mbirë bari, Një lule të freskët, në heshtje të plotë,
I vë gjyshes te varri.

Një lule e kuqe
Mbi mermer të bardhë,
Ku gjyshes i sosën
Derte dhe halle,
Këtë sosje e ëndërronte sa ishte gjallë,
Siç ëndërron lulja të kthehet në livadhe.

Shkodra

E adhuroj Shkodrën,
Qytetin tim,
Me çatitë e pjerrta ku grindën shirat,
Me yjet e ndritëshme
Netëve,
Me mjegullat, që kështu i veshnin brigjet,
Edhe në kohë të mbretërve.

E dua këtë qytet
Me muret e larta
Plot gonxhe lulevilesh në ëndje,
Ku Migjeni, me "Poemën e Mjerimit" në xhep,
Kalonte çdo mbrëmje.

I çmoj rrugicat,
Që ruajnë përjetësisht çapkënlleqet e mia,
Kopshtet me trëndafila,
Ku shkelin, çdo mbrëmje, hapat e butë të Hënës,
Mëngjeset, kur hapet dritarja,
Dhe era merr me vete shaminë e nënës.

E adhuroj qytetin tim,
Me perëndimet mahnitëse, të liqenit
Dhe muzgjet e vona,
Qytetin famëmadh të poetëve
Që lëkundet mes lavdisë dhe marrëzive tona...

COMMENTS